Si të mos humbni mëngjesin, edhe kur jeni me nxitim?

Mëngjesi, sekreti i një dite të mirë

Të gjithë kemi patur ato mëngjeset kur koha duket sikur fluturon. Zgjohemi pak më vonë, marrim telefonin për të parë orën… dhe kuptojmë që kemi vetëm pak minuta për t’u bërë gati e për të dalë nga shtëpia. Në këto momente, mëngjesi është gjëja e parë që lëmë pas dore.

Por ja si qëndron e vërteta! Mëngjesi nuk është thjesht një vakt. Ai është baza e energjisë, përqendrimit dhe ritmit të gjithë ditës sonë. Edhe kur koha është e shkurtër, nuk duhet të heqim dorë prej tij. Me pak planifikim dhe disa zgjedhje të zgjuara, mund ta shijojmë pa u ndjerë të nxituar.

Pse ka rëndësi mëngjesi?

Pas gjithë natës pa ushqim, trupi ynë ka nevojë për “karburant” për të nisur ditën. Një mëngjes i balancuar na ndihmon të përqendrohemi më mirë, na jep energji dhe na mban të ngopur për më gjatë. Përveç kësaj, ndihmon metabolizmin të punojë si duhet dhe ndikon pozitivisht në humorin e ditës. Madje, shpesh zgjedhim të flemë disa minuta më shumë dhe përfundojmë duke anashkaluar mëngjesin ose duke e zëvendësuar me diçka të paketuar e plot sheqer. Nëse kjo bëhet zakon, nuk i bën aspak mirë shëndetit dhe energjisë sonë gjatë ditës.

Si ta bëjmë mëngjesin të thjeshtë dhe të shpejtë?

1. Përgatitemi që në mbrëmje

Një nga sekretet më të mira është t’i bëjmë disa gjëra gati që në darkë. Mund të presim frutat, të lajmë zarzavatet, të përgatisim drithërat ose të bëjmë një sanduiç që mund ta lëmë në frigorifer. Në mëngjes, thjesht i kombinojmë dhe ja ku është gati.

2. Mbajmë një rutinë të thjeshtë

Kur hamë mëngjese të ngjashme, bëhemi më të shpejtë në përgatitje dhe e dimë gjithmonë çfarë të bëjmë. Një tost me avokado ose një vezë e zier janë shembuj të shpejtë e të shëndetshëm.

3. Zgjedhim ushqime të vërteta, jo të përpunuara

Biskotat, ëmbëlsirat e paketuara apo byrekët e gatshëm mund të duken si zgjidhje, por nuk na japin vlerat që na nevojiten. Një mëngjes i përgatitur prej nesh është gjithmonë më i mirë.

Ja disa ide që na shpëtojnë në pak minuta:

  • Tost me avokado dhe vezë të zier
  • Kos me fruta të freskëta dhe fara chia
  • Tërshërë me fruta, përgatitur që në darkë (overnight oats)
  • Smoothie me banane, qumësht bajamesh dhe gjalpë kikiriku
  • Sanduiç integral me gjizë dhe domate
  • Pite integrale me hummus dhe perime të freskëta

Le t’i japim mëngjesit kohËn që meriton!

Nuk kemi pse të zgjohemi shumë herët apo të bëjmë receta të ndërlikuara. Mjafton pak organizim dhe dëshirë për ta kthyer mëngjesin në një zakon të shëndetshëm. Trupi ynë do ta ndjejë ndryshimin duke patur më shumë energji, qetësi dhe një ditë që nis mbarë.

E fillojmë që sot? Përgatisim diçka të thjeshtë, të shijshme dhe të shëndetshme. Mëngjesi nuk është luks, por është mënyra më e mirë për t’u kujdesur për veten tonë.

shpërndaje këtë postim:

Facebook
Twitter
Pinterest

Zbulo më shumë artikuj